Ndryshon në çdo rifreskim

Poezi tjetër

Furtuna kalon

Furtuna kalon, por zemra është e ftohtë; nuk ka asnjë shpresë.

Furtuna kalon, por zemra është e ftohtë, nuk ka asnjë shpresë. Pas një pritjeje më të gjatë se nata, mendimi yt nuk më lë të qetë. Anët e gishtave janë zverdhur nga kujtimet që tymos çdo ditë. Sot u dogj qëndrimi yt i heshtur dhe i ftohtë, kur të përcolla për herë të fundit në shtëpi.

Indiferenca, fjalët katrore që dilnin të rregullta, dhe ndonjë e qeshur prej kuçke për ndonjë bisedë pa rëndësi. Pastaj një heshtje si furtunë. Bota bëhet aq e vogël, sa humbet brenda një mendimi. Furtunat kalojnë, duke trazuar çdo qelizë me erën e zemërimit, me shiun e vetmisë i lagin mëngjeset me freskinë e shkatërrimit, të mbushura me mall, dhe ballin e mbështetur në dritare. Dita jeton duke kujtuar atë që ishte. Pa plan, pa kohë, pa vakte, stuhia kalon, duke na lënë si dy vija të një pikture abstrakte.