Dëshira ime për ty ishte më mizorja, ajo që gëlltite duke u dridhur dhe më mallkoi mua, ajo që me dhunë rrëzoi muret që ngrinin kufijtë e tua. Dëshira ime për ty kurrë nuk mbaroi, duroi mungesën përpara një pamjeje që përsëritej monotone, të priti kokëfortë, pas lamtumirave të shumta nëpër stacione. Dëshira ime për ty ishte bërthama e çmendurisë. Tingujt e këmbanave të saj jehojnë fort brenda vendit tënd të kënaqësisë, me pëshpërima si vargje të harruara poetësh.

Sot, era në flokët e tua qan. Pas natës që na dehu, mëngjesi i zgurdulluar pijen nuk e mban. Si ishuj të vetmuar qëndrojmë, por, oh, një magnet i pabesë i bashkon ato vende. Dora ime e shtrirë kërkon të prekë pak dëshirën tënde.

Kisha frikë të të përgjoja rrahjet e zemrës, ngjitur pas lëkurës; më dukej sikur ishte prishur ora e zemrës tënde, si një pasqyrë që fsheh kujtimet e ftohta, si një melodi që hesht në mes të natës.

Në heshtjen që digjet mes gishtave të mi, ku shpirti yt s’më njeh, por më ndjen, unë kërkoj hijen e fjalëve të pathëna, ndërsa nata na mbështjell me një pëlhurë të hollë dhe asgjë nuk flet, veç dridhja e ajrit.

Dhe vetëm era e frymës sime e di çfarë ka mbetur mes nesh: një copëz heshtjeje që dridhet, si një fletë vjeshte mbi buzët e tua, si një pritje pa fund në agimet e zbrazëta.