Nëpër rrugë endej shpirti i tjetërsuar dhe ajo ç’kishte mbetur nga fëmijëria, e ndiqte nga prapa e trishtuar. Nata prehej e vobektë, e mërzitur që s’mund të bënte më shumë. Fjalë të ndyra nëpër mure qenë vizatuar, Fjalë që mjegulla s’mund t’i mbulonte, Ishin shkruar me duar fëmije dhe askush s’i lexonte.
Prapa qëndronte femra e hutuar, nën rrënjët e trishtimit të qytetit. Ai me forcë kundërshtonte rikthimin, Në pllaka përplaste iluzionet.
Pëshpërimave s’u dëgjohej zëri kur këndonin, Nëpër cepa ku hapësirën e zinin funeralet, Në kohën kur vdekja kishte ulur fronin.
Pemët kokëulur jepnin amanetet dhe vareshin mbi rrugë që dëshirën tretin. Kupidët largoheshin të përdhunuar. Shkonin për mos ta parë më qytetin.
