Kalon anija ime e mbushur me harresë, drejt tokës së premtuar. Si u gjend kështu befas në det të hapur? Ku shkoi limani i pushtuar?
Kalon anija ime pa ekuipazh, nëpër natë të gjejë një far, një dritë të vyer. Anija fantazëm që askush nuk e sheh, një copë dërrase që deti e ka shqyer.
Kalon anija ime pa flamur, pa armë, pa rum, në kuvertë fle hija e një emri, që kripa shkronjat ia ka tretur.
Kalon anija ime velëgrisur, e lodhur nga stuhi dallgësh, erë dhe shirash.
Anija ime pa timon, që drejtohet vetëm nga një busull dëshirash.
