Ndoshta është më mirë mos të të dua në këtë vallëzim të heshtur mes hijeve dhe dritës. Pas çdo ndarje, si një tingull i largët, pa zhurmë, pa thirrje, të kam harruar.

Në betejat e humbura, nën dritën e yjeve që shkasin, çdo plagë që s’duket, poezitë që shkrova me aq kujdes e kanë mbuluar. Ndoshta është më mirë që as ti mos të më duash, tani që edhe ngjyrat e shpresës janë zbehur, dhe në çdo vend që kemi shkelur, gjurmët koha i ka shuar. Ç’të mirë të sjell një fantazmë, akoma të rrish e duash? Pas fjalëve të thata që i kanë lënë fletët bosh, ishte e gjitha një fanitje, një iluzion. Tani ti fustanin e natës, tërë hir, e mban të veshur, një pëlhurë e sertë që premtimet më nuk t’i mbulon.

Nuk ia vlen tani që me këtë vetmi të re jemi mësuar, në të shkuarën akoma të rrimë e duam. Mbeti veç një ëndërr që natën na mban zgjuar. Megjithëse kurrizet i kemi kthyer atij shtrati të vjetër, në sheshet e jetës sime hijet e humbjeve si statuja ngrihen. Në fund të çdo rruge ngrihet një statujë tjetër, për çdo kujtim. Një kohë e ngrirë që nuk më përket më mua, mbi gurët e saj të vegjël shkruhet: “Krenar për humbjet e mia, nuk mundem më të mos të të dua.”