Qiejt e syve të tu, për kë rrinë pezull tani? Kush t’i përkul horizontet, si një pasqyrë e plasaritur mbi ujë? Buzëqeshjen kush ta zhbëri në netët pa hënë, ku vetëm hija, në fundin e saj, nënshkrimin ka lënë? Fjalët, ato të paktat, kush t’i çmpleks nga thellësia e mendimit, si stoli të panevojshme në një shtëpi të harruar? Supet e tua, kush i shkund nga pluhuri, kur harresa bën punën e saj me durim të ftohtë? Kujtimet, kush t’i grisi, jo nga trishtimi, por nga mërzia, sepse as ato s’ishin më të vlefshme? Mëkatet, kujt ia rrëfen tani, kur pendesa është vetëm një fjalë e zbrazët në një libër që askush nuk lexon? Dhe atë çast, kur u arratise, kujt i besove, se asgjë mes nesh s’do kishte fund? Por fundi erdhi, është këtu, si një heshtje e bardhë dhe e ftohtë, që u shtri mes qiejve të syve të tu.