Nata është e jona, edhe pse ditët nuk falin. Nata rënkon si një prostitutë. Në çaste si këto e ka të vështirë ta fshehë çmendurinë. Një dritë e dobët zgjat hijet e trupave që tunden mbi mur. Pasqyra puthet me shëmbëllimin e kofshës së ngritur mbi komodinë.

Me dashje, natën larg ditës dua ta mbaj. Nata është xhepi i ditës, lëkura nën rroba, hapësira poshtë fustanit të saj…

Nata t’i ka dëgjuar të gjitha premtimet, t’i ka përgjuar ëndrrat. Të ka parë të marrësh flakë pa shkak, të bësh gjëra që as vetes nuk ia ke treguar, kur kemi qëndruar shtrirë dhe kemi fjetur aq pak.

Ajo të ka dhënë atë që ditët s’mund ta jepnin: vallëzimin lakuriq, nën fjalët që ta rrëqethin mishin.

E dua natën tonë, edhe pse ditët nuk na falin. Logjika, e zgjuar me forcë, Të bëjë plane që kurrë nuk dalin.

Si mund të jetë nata gënjeshtare, kur e ka parë të vërtetën të zhveshur?

Ajo e ka parë atë shfaqje që edhe shikimin e çmend. E ulur në poltronin e saj, ka dëgjuar muzikën e preferuar. Rënkimin tënd.

U deshëm në net si ato. Bisedat i shkruam mbi lëkurë. Edhe pse, po në ato net, ndonjëherë, u shkundëm aq fort sa të putheshim harruam.