Hajdutët u larguan të trullosur, me ngut, drejt një vendi që e quanin strehë. Pas tyre mbeti rruga bosh, vitrinat e shuara dhe një heshtje që nuk akuzonte askënd.
Njeriu me karrocë ndaloi. Ndoshta aty mbaroi shndërrimi i tij në kafshë pune. Ndoshta kishte mbaruar shumë më herët dhe askush nuk e kishte vënë re.
Përpara shtynte atë pak kohë që i kishte mbetur. Pas vetes tërhiqte gruan, fëmijët, urinë dhe gjithë ato mëngjese që kishin filluar pa arsye.
Hajdutët nuk shihnin pas. Në sytë e tyre perëndimi digjej qetë. Për ta nata ishte e bardhë. Diku larg, sirenat afroheshin me bindjen mekanike se çdo ngjarje duhet të ketë një fajtor.
Rojet qëndronin pas vitrinave si hije të paguara për të ruajtur gjëra që nuk u përkisnin.
Askush nuk e dinte të vërtetën. Por ndoshta nuk kishte të vërtetë. Kishte vetëm një njeri të dobët, me duar të çara, që shtynte karrocën sikur të shtynte një gur deri në fund të një rruge që nesër do të fillonte përsëri.
Në xhepa mbante varfërinë. Në gojë, një shije të hidhur që prej kohësh kishte pushuar së quajturi pikëllim.
Fantazmat e vjetra nuk e trembnin më. Të gjallët ishin më të rëndë.
Sirenat po afroheshin. Rruga pas hajdutëve po ngushtohej dhe pesha në duart e tyre papritur u bë tepër e madhe.
Ia lanë atij. Pa emër. Pa falënderim. Siç i lihet dikujt një faj që nuk ke më kohë ta mbash.
Ai nuk pyeti pse. As ata nuk shpjeguan.
Paratë kaluan nga një dorë në tjetrën me atë pafajësi të çuditshme që kanë sendet kur njerëzit vrasin për to.
Pastaj hajdutët u zhdukën. Ai mbeti me karrocën, me frymën e rëndë, me shpërblimin që nuk i përkiste dhe me jetën që po.
U nis ngadalë. Përpara shtynte karrocën. Pas vetes, gjithçka tjetër. Me shpresën e vetme që ëndrrat e fëmijëve të mos peshonin më shumë se buka.
