Ndoshta kemi për t’u takuar prapë, në ndonjë rrugë a bar nëpër qytet. Mund të ketë kaluar kohë, e secili të ketë sajuar jetën e vet. Kushedi, të huaj do të jemi bërë, e koha do të na ketë vrarë. Pa e ditur ç’të bësh, do të sillesh sikur nuk më ke parë, por prapë sytë do të rrotullosh, të kërkosh ku mund të dukem diku në ndonjë pasqyrë. E merakosur do të mendosh: Pse është hequr ashtu në fytyrë?

Arsyen do ta kërkosh vjedhurazi nga pasqyrimi në dritare. Do të më përgjosh teksa në heshtje ndez dhe fik ndonjë cigare. Kur të të pyesin për tronditjen, ndoshta më në fund nga zemra diçka me mall do të të dalë. “Ai ka qenë miku im”, do të thuash, pa mundur të nxjerrësh tjetër fjalë.

Në buzë do të hidhet një buzëqeshje tjetër. Do të rrotullosh flokët me gisht e befas në sy do të të vishet një shkëlqim i vjetër. Ku i dihet, ndoshta do të çohesh të më flasësh; kujtimeve nuk do t’u rezistosh. Do të vish? Apo do të kesh frikë nga ajo që mund të zgjosh? Nuk do të të them asgjë, pas të gjitha fjalëve që shkuan kot, veç një poemë të heshtur për të gjitha herët që tentuam të dashurojmë dhe nuk ia dolëm dot.